Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka thënë se afro 340 migrantë të mundshëm janë vrarë ose janë zhdukur gjatë dy ditëve të kaluara, duke u përpjekur ta kalojnë Detin Mesdhe dhe të arrijnë në Evropë.
Zëdhënësi i kësaj organizate, Flavio Di Giacomo, tha sot se 103 njerëz kanë vdekur kur anija e tyre e gomës është fundosur mbrëmë vonë.
Duke i llogaritur edhe tragjeditë e mëparshme, numri i të vrarëve prej së martës, është “më tepër se 340” ka shkruar Di Giacomo, në rrjetin Tëitter.
Ai ka theksuar se kontrabandistët me njerëz në Libi po i detyrojnë migrantët e mundshëm që të transportohen me anije, përkundër motit të keq dhe kushteve tejet të vështira, njofton rel.
Di Giacomo tha se 4,500 migrantë të mundshëm janë vrarë ose janë zhdukur, duke u përpjekur të arrijnë në Evropë, gjatë vitit 2016. Më se 4 mijë prej tyre ishin përpjekur të arrijnë në Itali nga Libia ose Egjipti.