Qindra qytetarë të Prizrenit të komunitetit turk të mbështetur edhe nga ai shqiptar dhe boshnjak, u tubuan në sheshin e qendrës së qytetit për të përkrahur Republikën e Turqisë, e cila mbrëmë u ballafaqua me tentativën për kryengritje nga pjesëtarë të forcave të armatosura turke, besnik të organizatës terroriste FETÖ.
Qytetarë të cilët u tubuan pas faljes së namazit të akshamit me flamuj kombëtar turk dhe me brohoritje të ndryshme si “Ne jemi ummeti i Hz. Muhammedit”, “Rri drejt, mos u përkul, Kosova është me ju”… shprehën përkrahjen e tyre për popullin turk.
Zv\kryetari i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, u shpreh se pas tentativës së djeshme për kryengritje, populli dhe shteti turk qëndroi në këmbë dhe mbrojti atdheun e tij, duke e mbrojtur edhe demokracinë e vendit, raporton Anadolu Agency.
“Sonte kosovarët, si të komunitetit turk, ashtu edhe të atij shqiptar dhe boshnjak, kanë ardhur këtu për të shprehur mbështetjen e tyre dhe për të treguar se janë pranë shtetit turk. Populli i Turqisë duhet ta dijë se Turqia nuk është vetë, por ka bashkëatdhetarë të shumtë çdo kund në Ballkan që do t’i dalin Zot dhe do ta përkrahin Turqinë”, u shpreh Damka.
Ndërkohë, në xhaminë e Sinan Pashës, u lexuan duatë për dëshmorët që ranë pas tentativës së mbrëmshme për grusht shtetit, të cilëve iu bashkangjitën të gjithë qytetarët.
Pas qendrës së qytetit, qytetarët bashkërisht vazhduan drejt Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizre, ku vazhduan të shprehin fuqishëm përkrahjet e tyre. /Insajderi.com