Pacientët dhe familjarët shpesh shprehin pakënaqësi për kushtet në spitalet publike, përfshirë Klinikat Torakale dhe të Kirurgjisë, ku janë raportuar probleme me kushtet sanitare dhe infrastrukturën. Në lidhje me këto ankesa, QKUK ka dhënë një përgjigje për Insajderin pas katër ditësh.
Ata thonë se në rast vërejnë papërgjegjësi, nga personat kompetent do të ndërmerren masa ndaj të njëjtëve.
“Ashtu siç është bërë publike edhe në media, QKUK është në fazën e investimeve kapitale në shumë klinika. Në disa klinika punimet kanë përfunduar, ndërsa në të tjera vazhdojnë ende. Puna dhe të gjitha shërbimet që ofrohen nga kompanitë e kontraktuara janë përgjegjësi e tyre, dhe nëse vërejmë ndonjë papërgjegjësi, do të veprojmë sipas kushteve dhe penaliteteve të parashikuara në kontratë,” deklaruan përfaqësuesit e QKUK-së.
Ata shtuan se QKUK ka mekanizma kontrolli dhe është duke punuar intensivisht për të siguruar që probleme të vogla, që mund të ndikojnë në përkushtimin dhe gatishmërinë e stafit, të shmangen sa më shumë të jetë e mundur.
“Kontraktori i ri i përzgjedhur është zotuar për furnizimin e plotë të materialeve higjienike, dhe ne, si ekip menaxhues dhe mbikëqyrës, jemi të përkushtuar që në të gjitha klinikat materialet higjienike të shpërndahen me kohë dhe të mos mungojë asgjë nga ato që janë të parashikuara në kontratë“, thuhet në përgjigjen e tyre.
Përfaqësuesit e QKUK-së theksuan se është e pamundur që në çdo tualet ose ambient sanitar të ketë mbikëqyrës për të shmangur keqpërdorimet nga individë të pandërgjegjshëm.
“QKUK kurrë nuk ka qenë më e pajisur dhe më e pastër se në këtë fazë. Përjashtojmë disa individë që qëllimisht abuzojnë dhe tentojnë të hedhin poshtë përkushtimin e punonjësve sanitarë.” Sa i përket procesit të renovimit, QKUK shpjegoi se ai po zhvillohet me faza dhe se pacientët janë transferuar në ambiente të përshtatshme për sëmundjet e tyre kur ka qenë e nevojshme. Në çdo rast, ata kanë marrë kujdesin e nevojshëm profesional dhe sanitar“.
Përfaqësuesit e QKUK-së theksuan se gjatë kësaj kohe fushate ka pasur individë që përpiqen të minimizojnë vlerën e punës së bërë dhe ta përdorin për qëllime politike.
“Ne jemi të përkushtuar që të garantojmë punën e mirë dhe që çdo kontratë të menaxhohet në përputhje të plotë me marrëveshjet e arritura.”
Gazeta Insajderi ka raportuar, të premten shkrimin se si pacientët dhe familjarët e tyre u shprehen të pakënaqur për kushtet e papërshtatshme në spitalin publik.
Insajderi kishte pranuar disa ankesa lidhur me Klinikën Torakale dhe atë të Kirurgjisë, ku kushtet sanitare dhe infrastruktura lënë shumë për të dëshiruar.