Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka thënë se disa persona të paidentifikuar të cilët kanë hyrë këtë javë në zyret e këtij institucioni nuk kanë vjedhur asgjë.
Drejtori për Shërbimet Spitalore në QKUK, Curr Gjocaj, i ka thënë Insajderit se lidhur me këtë rast është formuar një komision i cili do të bëjë regjistrimin e dokumentacionit dhe zyrave në përgjithësi.
“Nga komisioni për regjistrim të zyrave dhe materiale dhe nga raportet e deri tanishme nuk vërehet se mungon diçka në këto zyre”, ka thënë Gjocaj.
Të hënën, Policia e Kosovës raporti se disa persona të paidentifikuar kanë hyrë në disa zyre të QKUK-së, ku është e ndaluar hyrja për persona të paidentifikuar.
Florie Ahmeti, zëdhënëse në Polici, ka thënë se ata janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast.
“Lidhur me rastin në fjalë ende nuk kemi ndonjë rezultat përfundimtarë, ekipet hetimore janë ende duke e hetuar rastin”, ka thënë për Insajderin, Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës./Insajderi.com