Shtetet e QUINT-it përmes një komunikate të përbashkët kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve komunale në veri të Republikës së Kosovës.
Këtë vendim ata e konsiderojnë si konstruktiv që ndihmon avancimin e përpjekjeve për siguri në Veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në reagim thuhet se dialogu është e vetmja rrugë drejt marrëveshjes.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së/ Përfaqësuesi Specail i BE-së mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë”, ka shkruar ambasadori gjerman.
“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar ambasadori gjerman, Jorn Rohde