Kryetari aktual i Drenasit dhe kandidati i PDK-së për Drenasin, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se i sheh të pavërteta deklaratat e banorëve të Çikatovës së Vjetër, që janë ankuar për vdekje e kancer nga skoria (materie toksike) e Ferronikelit, për sa kohë që institucionet e drejtësisë nuk e vërtetojnë këtë. Për më tepër ai ka kërkuar që prokuroria e gjykata të merren me pohimet e qytetarëve të Drenasit skoria e ndotja e Ferronikelit po shkakton kancer e edhe vdekje. Kështu ka deklaruar pasi e ka parë kronikën e KTV-së ku banorët e Çikatovës së Vjetër kanë thënë se vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes si pasojë e ndotjes.
“Këto storie i kam dëgjuar të përgatitura nga z. Krasniqi që është punëtor i juaji e z. Drenori. Jap përgjigje për çdo pyetje të ngritur. Fabrika e Ferronikelit është në Drenas prej viteve 70-ta. Ka një sistem profesional, e më modern të filtrimit të tymit dhe mbetjeve në fabrikë. Punojnë rreth 940 punëtorë dhe janë rreth 600 kontraktorë, duke përfshirë edhe 700 deri 800 punonjës të Infraskosit e Trainkosit, që marrin paga si rezultat i fabrikës së Ferronikelit. Ata që folën se kanë vdekur familjarë nga grimca metali, janë organet hetuese që duhet vendosur. Derisa nuk kemi vendim gjyqësor, i quaj se janë të pavërteta. Ne jemi qytet industrial. Unë po flas nuk më pengon sepse kjo më bën akoma më të përgjegjshëm. Për ndotjen në Ferronikël, është përgjegjës për kushtet e lejet ambientale Ministria e Ambientit. Ne nuk jemi përgjegjës, e mbikëqyrim e i adresohemi me rekomandime Ministrisë së Ambientit. Kur e shohim se diçka nuk është në rregull i adresohemi atyre. Gjithmonë kur ka një fabrikë, jemi qytet industrial, gjithmonë ka ndotje. Por jo ndotje që i kalon parametrat e lejimit të operimit të një fabrike. Momente që i tejkalon Ministria e Mjedisit intervenon e ndalon”, tha Lladrovci në “Zgjedhjet në KOHË” – Debati për Drenas.
Për kontaminim fatal janë ankuar anëtarët e familjes Makolli, dy anëtarë e së cilës, kanë vdekur gjatë dy muajve të fundit nga kanceri në mushkëri.
“Ajri, toka, uji, jemi tërësisht të kontaminuar. Nuk ka mbetur këtu të jetohet. Ose të vendosen filtra ose ta mbyllë këtë fabrikë ose të na shpërngulin krejt që këtu. Sa është i përhapur kanceri këtu, sa njerëz kanë probleme me frymëmarrje, domethënë s’kemi shtëpi që s’ka aparat për inhalim apo aspirator të frymëmarrjes për fëmijë”, ka thënë Ismet Makolli.
Ndërsa, Xhevdet Dubovci që jeton rreth 200 metra larg Ferronikelit ka thënë se ka familjarë të vdekur e edhe anëtarë të tjerë, duke e përfshirë edhe atë, janë me sëmundje respiratore.
“Jo vetëm unë, por e kam edhe nënën të sëmurë, vëllezërit më kanë vdekur nga ky ambient, vajzën po ashtu e kam (vajzën e dytë) edhe ajo me probleme me frymëmarrje. Ne nuk dimë se nga t’ia mbajmë. Kemi qenë në komunë nuk e di se sa herë por as që na kanë lënë as brenda. Kam qenë sëmurë dhe kur kam shkuar te komuna më kanë thënë shko në social, kur kam shkuar aty 40 euro ndihmë më tha më shumë s’kemi për të të ndihmuar se nuk ka buxhet tha komuna”, është shprehur banori i Çikatovës së Vjetër.