Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli, ka reaguar pas lirimit të kryeterroristit Milan Radojçiq nga Gjykata e Lartë e Beogradit.
Kërçeli, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se Serbia po vazhdon të jetë strehë e terroristëve, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka thënë se Radojçiq mund të hyjë në Kosovë, por “nuk dihet si del pastaj”.
“Serbia si aspirante e BE-së vazhdon traditën e strehimit të terroristëve. Radojqiq e ka të ndaluar hyrjen në Kosovë, ose edhe mund të hyjë po nuk dihet si del pastaj”, ka deklaruar ai.
Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.
Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet. /Insajderi.org/