Dy astronautët e NASA-s, Bob Behnken dhe Doug Hurley, janë informuar se rrugëtimi i tyre për në hapësirë është anuluar për sot.
Për këtë, sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, fajtor është moti jo i përshtatshëm.
Me këtë, siç thuhet më tej, NASA dhe SpaceX do të tentojnë përsëri më 30 maj.
Siç edhe ishte paralajmëruar, të mërkurën në mbrëmje pritej të bëhej nisja drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, të dy astronautëve të NASA-s.
Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritej të fillonte rrugëtimin nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida.
Me këtë, SpaceX do të bëhej kompania e parë private që dërgon njerëz në hapësirë.
Nëse fluturimi do të jetë i suksesshëm, vlerësojnë mediat, ai do të shënojë një moment thelbësor në eksplorimin e hapësirës me operimin e parë të një kompanie private, në një fushë, që për shtatë dekada ka simbolizuar fuqinë e një numri të vogël shtetesh.
Presidenti amerikan është duke u përpjekur të riafirmojë sundimin amerikan të hapësirës dhe ka urdhëruar një rikthim në Hënë në vitin 2024. /Insajderi.org