Institucionet kosovare qysh para disa muajve kanë qenë të njoftuara lidhur me ndërtimin e murit në pjesën veriore përtej urës së lumit Ibër në Mitrovicë.
Goran Rakiq kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore ka thënë për Gazetën Express se ndërtimi i kësaj ure ka qenë pjesë e dizajnit të një projekti të cilin ky institucion e ka bërë publik kohë më parë dhe se për këtë kanë qenë në dijeni përfaqësuesit e BE-së, politikanët kosovarë si dhe vetë kompania për ndërtimin e urës.
“Gjithë përfaqësuesit e BE-së, politikanët kosovarë edhe kompania e ndërtimit të saj ka qenë në dijeni për këtë mur. Në dizajnin e projektit muri ka ekzistuar para disa muajsh”, ka thënë Rakiq për Express.
Ai tha se gjatë ditës së sotme zyrtarë të Mitrovicës së Veriut do të takohen me përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë për të diskutuar më shumë rreth kësaj çështjeje.
“Sot gjatë ditës do të kemi takim me përfaqësuesit e BE-së në Kosovë. (Ndërtimi i tij), muri ka ekzistuar në dizajnin e projektit, nuk është asgjë e re, do të diskutojmë me ta dhe do të gjejmë kompromis”, ka thënë Rakiq.
Sipas tij, sot do të vendoset rreth fatit të këtij muri.
“Punimet për ndërtimin e këtij muri janë ndalur. Por në takimin e sotëm do të vendoset për të gjitha detajet sa i përket murit”, ka shtuar tutje ai.