
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ministri në detyrë, Hajrulla Çeku, e di si janë bllokuar projektet në kryeqytet. Megjithatë, Rama theksoi se pavarësisht pengesave, ekipi i tij ka gjetur alternativa për t’i vazhduar investimet.
Ai shtoi se përkundër bllokadave, kanë organizuar konferenca për investitorë nga brenda dhe jashtë vendit për të realizuar projektet e qytetit, si unaza, pa u varur nga niveli qendror.
Rama kritikoi gjithashtu që nga 206 milionë të Kostos së unazës, 82.4 milionë janë falas, por sipas tij, qeveria nuk po e përparon projektin për arsye politike.
Rama gjithashtu përmendi se Banka Evropiane i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pyetur pse procesi nuk po ecën përpara, dhe sipas tij, përgjigja e Hekuran Muratit ishte se nuk duhej të financoheshin “projekte elektorale të kryetarit Rama”.