Dy institucionet kryesore të shtetit, Presidenca dhe Kryeministria priten të përballen në Gjykatën Kushtetuese më datën 18 maj.
Kushtetuesja ka caktuar këtë datë për t’u njohur qëndrimet e Presidentit dhe të Kryemistrit lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe të qartësimit të kompetencave për dekretimin e ministrave.
Përplasja më e fortë lidhet me faktin se presidenti Meta refuzoi të dekretonte Gent Cakajn, kandidaturën e kryeministrit për postin e ministrit të Jashtëm. Kjo shkaktoi edhe një përplasje të forta akuzash dhe argumentesh ligjore, ku mazhoranca pretendonte se presidenti nuk kishte të drejtë të vinte në diskutim propozohet për ministra dhe se ishte thjesht një noter.
Kjo nuk u pranua nga Meta, i cili gjeti si justifikim se nuk kishte krijuar bindjen që ta dekretonte Cakajn. “Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme. Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Deklaratat e rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”, ishin argumentet e presidentit.
Ndërsa vendosi edhe një tjetër arsye se Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatën e sigurisë nga DSIK edhe pse mbante postin e zv/ministrit të Jashtëm.
E gjithë kjo përplasje ndodhi në janar të vitit 2019. Ndërsa Meta pranoi të dekretonte ministra te tjerë Besa Shahini, ministre e Arsimit në vend të Lindita Nikollit, Anila Denaj, në vend të Arben Ahmetajt si ministre e Financave dhe e Ekonomisë, Belinda Balluku si ministre e Infrastrukturës në vend të Damian Gjiknurit dhe Elva Margariti, ministre e Kulturës në vend të Mirela Kumbaros, por bllokoi vetëm Cakajn.
Ky bllokim bëri që Rama tërhiqej dhe ta merrte vetë postin e ministrit Jashtëm, duke qenë njëherësh dhe kryeministër. Ndërsa mazhoranca bëri të ditur se do t’i drejtohej Kushtetueses, për të dhënë mendimin nëse presidenti gëzon të drejtën për të refuzuar propozimet e kryeministrit për emërime minsitrash.
Në janar 2019, Rama paditi në Kushtetuese Metën, pasi ky i fundit nuk dekretoi si ministër të Jashtëm Gent Cakajn.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese ishte parashikuar fillimisht që të mbahej në 25 mars, por ajo u shty për shkak se një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetueses ishte i prekur nga COVID-19.
Kjo do të jetë përballja e parë institucionale mes kryeministrit dhe presidentit pas zgjedhjeve, në një kohë që mazhoranca ka deklaruar se do të paraqesë dhe një tjetër nismë për shkarkimin e Metës nga posti i kreut të shtetit.