Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama akuzoi lëvizjen Vetëvendosje, se ka sabotuar dhe bllokuar projektet për zhvillimin e kryeqytetit. Ai sjell si shembuj unazën dhe spitalin e Prishtinës. Por pavarërsisht kësaj situate thotë Rama, Prishtina është transformuar.
Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20 janar.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës kryetari i komunës së Prishtinës u përgjigjet kritikëve që e akuzojnë për mos zgjidhje të problemeve me trafikun, mbledhjen e mbeturinave, apo ndotjen e mjedisit. =
Përparim Rama: Unë mendoj se në çdo qeverisje normale nuk do të duhej të ishte problem se kush është në nivelin qendror dhe kush në atë lokal, por ja që përkundër faktit që unë kam qenë neutral në aspektin e qeverisjes, pra Prishtina ka qenë për të gjithë, ashtu e kam qeverisur dhe ashtu do të vazhdoj ta qeveris, duke parë në përbashkim dhe jo në përçarje, për fat të keq nuk e kemi pasur përkrahjen e qeverisë, pra kemi pasur sabotazh dhe bllokada të ndryshme në zhvillimin e kryeqytetit. Për shembull për projekte madhore si ai i unazës dhe spitali i kryeqytetit. Mirëpo përkundër faktit të bllokadave dhe sabotazhave ne kemi arritur të realizojmë buxhetin e kryeqytetit me 80 për qind, që është faktikisht realizim historik, më i madhi në historinë e kryeqytetit, po ashtu edhe në investime kapitale 63 për qind. Paramendo po të kishim pas një qeverisje më normale, nëse e quaj kështu, çka do të kishim pas mundësi të bënim. Do të kishim pas mundësi të bëjmë shumë më shumë edhe në kryeqytet, por edhe në të gjithë Kosovën.
Zëri i Amerikës: Por megjithatë çfarë do t’u thoshit ju kritikëve tuaj që u fajësojnë për mos zgjidhje të problemeve që lidhen me trafikun e ngarkuar, ngushtimin e hapësirave për lëvizjen e makinave, problemet me mbledhjen e mbeturinave, ndotjen e mjedisit, ndërtimet pa leje apo edhe kritika të tjera të kësaj natyre?
Përparim Rama: Pikërisht këto janë edhe problemet të cilat i përmenda dhe më herët. Pra unaza e kryeqytetit, një projekt madhor për kryeqytetin i cili është i gatshëm tashmë prej dy vite e gjysmë, e që bllokohet nga qeveria. Një projekt 206 milionësh, në të cilin 40 për qind e të gjitha fondeve janë faktikisht grant nga Komuniteti Evropian, vazhdon të bllokohet nga qeveria. Pra ky është një projekt madhor i cili do ta kishte zbutur dhe përmirësuar dukshëm trafikun në kryeqytet. Me informatat të cilat ne i marrim çdo ditë, kemi 748 mijë hyrje në qytet, po them hyrje, pra vetëm prej telefonisë mobile IPKO, i kemi këto të dhëna prej tyre. Pra paramendoni kur i marrim edhe ata që kanë telefona VALA e të tjerë, kemi afër një milion hyrje. Çfarë do të thotë kjo? Që gati më shumë se gjysma e Kosovës vjen çdo ditë në kryeqytet dhe del nga kryeqyteti dhe kjo normal që shkakton presion në trafik në kryeqytet. Për këtë arsye edhe projektet madhore siç është unaza e kryeqytetit…
Zëri i Amerikës: A do të rikandidoni për Prishtinën?
Përparim Rama: Patjetër që po. Unë kam thënë edhe gjatë kandidimit tim të parë që më duhen tetë vite ta transformoj kryeqytetin, jemi në proces të transformimit, pra kemi filluar transformim e kryeqytetit. Tashmë Prishtina është e njohur ndërkombëtarisht në aspektin e artit, kulturës, të eventeve të mëdha, e po ashtu të një jete të mirë, ku edhe sektori për shembull i teknologjisë ka më shumë se 35 mijë të punësuar, ku shumica prej tyre janë të fokusuar në kryeqytet, me kompani tashmë gjithnjë e më të mëdha, e më të shumta prej vendeve të ndryshme, që po vijnë në kryeqytet, të krijojnë bazën e tyre.