Tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim, I kishte bërë bashkë për një foto të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e të parin e Prishtinës, po nga kjo parti, Përparim Rama. Por, se si u dha ky tender, tashmë nuk është çështje vetëm e komunës, por edhe e Prokurorisë. Ky institucion ka konfirmuar për Insajderin nisjen e hetimeve
Gazeta Insajderi
Nisja e punimeve në Rrugën A në Prishtinë i kishte bërë bashkë Lumir Abdixhikun e Përparim Ramën. Të veshur me uniforma të punëtorëve, ata kishin pozuar bashkë. Aty në foto ishte edhe Naim Sallahu, pronari i dënuar për mashtrim i firmës që Komuna e Prishtinës ia dha tenderin prej 8.5 milionë eurosh për këtë punë.
Se si iu dha ky tender kësaj firme, tashmë nuk është vetëm punë e Komunës së Prishtinës. Është edhe e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ky institucion ka konfirmuar për Gazetën Insajderin nisjen e hetimeve, pas një denoncimi që ishte bërë po pikërisht për faktin që komuna që drejtohet nga njeriu i LDK-së, Përparim Rama, ia dha një firme që pronari i saj ishte dënuar për mashtrim- diçka që dyshohet se bie ndesh me Ligjin e Prokurimit
Këto punime po i kryen “Sallahu”, derisa pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës vitin 2018.
Sallahu, që ishte parë në këtë ceremoni bashkë me Abdixhikun e Ramën, sipas vendimit të Themelores e që është vërtetuar edhe nga Apeli e ka të ndaluar që të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë 10 vjeçare- deri më 2028.
Insajderi ka parë komunikimet mes Prokurorisë së Shtetit, ku është denoncuar rasti i Rrugës A, dhe Prokurorisë Themelore. Janë dy raste: njeri për vet mënyrën se si u dha ky tender, dhe tjetri për përfshirjen e OSHP-së në këtë rast.
“Mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rastet në fjalë, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”, i ka thënë Gazetës Insajderi Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Prokuroria nis hetimet edhe për bordin e OSHP-së
Sipas dokumenteve që i posedon Insajderi, e që janë deponuar në Prokurorinë e Shtetit, në dhënien e këtij tenderi rol ka pasur edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Kundër dhënies së tenderit për firmën “Sallahu” kishte pasur ankesa në OSHP. Por, ky institucion mori vendimin me numër 144/23, sipas të cilit janë refuzuar ankesat e firmave të tjera që ishin në garë pio për të njëjtin tenderi që komuna e drejtuar nga LDK-ja ia dha firmës “Sallahu”.
“OSHP ka nxjerrë vendimin me PSH nr. 144/23 dhe ka refuzuar ankesat e OE, dhe po ashtu nuk ka marrë parasysh asnjë nga të gjeturat që AVONET ka identifikuar në dosjen e ofertës së Operatorit Ekonomik “Sallahu” sh.p.k me nr unik 810135237. OSHP nuk ka trajtuar as pretendimin e ankesës së operatorit ekonomik, dhe kjo është tejet shqetësuese për AVONET-in. Po ashtu, rritet dyshimi për mënyrën e vendimmarrjes, që për AVONET-in është një vendim i cili ka elemente të dyshimta. Kjo për AVONET-in krijon dyshimin se ky vendim nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë palet, dhe paneli shqyrtues ka ikur nga përgjegjësia duke përjashtuar edhe palët e interesit. Kjo krijojnë dyshimin për njëanshmëri, duke lënë vendimin e AK të plotfuqishëm”, thuhet në denoncimin që ka shkuar në Prokurori.
Insajderi ka parë komunikimin mes Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Themelore në Prishtinë, ku kësaj të fundit për inicim të procedurës i janë dhënë udhëzime për tre emra nga OSHP-ja: kryetarit te panelit në rastin e Rrugës A, Vedat Poterqani, dhe anëtarët e këtij paneli, Agon Ramadani dhe Kimete Gashi.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Insajderi
Përparim Ramën e nervozon pyetja e gazetares së Insajderit
Ekipi i Gazetës Insajderi ditën kur u nis projekti i Rrugës A i kishte bërë një pyetje kryetarit Rama. Ishte kjo: Si ndodhi që tenderi u fitua nga kompania e të dënuarit për mashtrim?
Kjo pyetje nuk i pëlqeu Ramës. Por, ai zbuloi diçka gjatë përgjigjes së tij. Rama ishte jashtëzakonisht i informuar për kalimin zyrtar të pronësisë nga vëllai i dënuar te ai i padënuar.
“Kjo nuk është e vërtetë se kompania është e dikujt tjetër dhe jo e atij personit. Në aspektin ligjor është e ligjshme nuk bëjmë asgjë të kundërligjshme ka tendenca të juaja apo të dikujt tjetër për ta njollosur na jemi duke i shkuar në mënyrë ligjore nga fillimi deri në fund“, tha Rama.
Si përfundoi tenderi i madh te pronari i dënuar për mashtrim?
Komuna e Prishtinës me datë 24.02.2023 ka rekomanduar për dhënien me kontratë të Grupit të Operatorëve Ekonomik “SALLAHU” shpk dhe ALTIS CONSTRUCTION Ltd me vlerë prej 8,497,801.66 €.
Kjo kontratë ishte dhënë për ndërtimin e rrugës A.
AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar.
Komuna e Prishtinës kishte mohuar këto akuza duke thënë se lajmet se është shpallur fitues i dënuari për mashtrim” është i tërësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.
“Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit. Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes certifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.”, thuhej në reagim.
Sipas ligjit operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.
Kështu, më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.
Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ishte ngarkuar me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
Ai u dënua me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Dënimi me burgim ndaj tij ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro.
/GazetaInsajderi