
Tri nga figurat më të njohura në politikën lokale, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, janë përfshirë në një skandal pas takimeve zyrtare me Nikolla Xhufkën, një personazh shumë kontrovers dhe i dyshuar për aktivitete jashtë normave fetare dhe shoqërore, shkruan Insajderi.
Nikolla Xhufka është një prift i vetëshpallur nga Elbasani i Shqipërisë, i cili ka marrë vëmendje negative përmes deklaratave të papërgjegjshme dhe veprimeve që kanë ngjallur polemika të shumta.
Më herët, Xhufka është bërë protagonist i një video-incizimi skandaloz, ku shfaqej në situata intime me një mashkull, duke shkelur kështu jo vetëm normat e komunitetit fetar por edhe besimin publik ndaj tij.
Megjithatë, ky fakt nuk e ka penguar që në ditët e fundit ai të pranohet dhe të marrë mbështetje të hapur nga kryetarët e tri komunave më të mëdha në Kosovë.
Takimi i fundit zyrtar i Nikolla Xhufkës ishte të hënën me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndërsa më parë ai është takuar edhe me Përparim Ramën në Prishtinë dhe Ardian Gjinin në Gjakovë./ Gazeta Insajderi/