“I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës për Mocionin për një Rezolutë të re mbi Rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS për trafikun e organeve njerëzore “, njoftoi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në rrjetin e tij në Facebook, raporton Insajderi.
Kjo mu në ditën kur edhe zyrtarisht ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-Krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, gjykatë kjo e cila nisi si pasojë e akuzave të ish-senatoriz zviceran Dick Marty, ku akuzonte krerët e UÇK-së për “vjelje të organeve” dhe kishte skandalizuar opinonin ndërkombëtar. Megjithatë, këto akuza të Marty-it nuk janë përfshirë në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ndonëse raporti i tij çoi në themelimin e kësaj Gjykate.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare“, shkroi Edi Rama në Facebook.