Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për qëndrimin e Qeverisë shqiptare për veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit. I pyetur pse Shqipëria s’e ka përkrahur luftimin e bandave në veri, Edi Rama ka thënë se Shqipëria është shtet dhe s’është një parti politike në Kosovë.
Rama ka thënë se s’kam parti politike të regjistruar në Kosovë, dhe ka kujtuar fushatën që kryeministri Albin Kurti ka bërë në Shqipëri në zgjedhjet e para disa viteve atje.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka deklaruar se edhe përkundër fushatës kundër, e ka ftuar Kurtin për drekë dhe s’i ka thënë se pse kërkon takim ndërkohë që bën fushatë kundër.
“Shqipëria s’është parti politike në Kosovës. Unë personalisht s’kam parti politike të regjistruar në Kosovës. Madje madje kur Albini erdhi në Shqipëri për të nisur fushatën elektorale në Shqipëri, me një parti të regjistruar në Shqipëri që garonte kundër partisë time, unë e kam pritur Albinin për drekë. As nuk e kam pas asnjë problem. Dhe s’ja kam ngrit fare si çështje, se si ti vjen bën fushatë këtu kundër meje dhe do takim. Absolutisht jo. Tani ç’lidhje ka që Shqipëria se mbështeti Kosovën për luftën e bandave. Ne jemi shtet. S’jemi parti politike. S’kam dëgjuar asnjë prej aleatëve, që thotë se Kosova s’duhet të luftojë bandat“, tha ai në një intervistë në Klan Kosova.