Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka thënë se ngjarja tronditi mbarë botën.
Rama tha se Masakra e Reçakut do të qëndrojë përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet.
“25 vite nga Masakra e Reçakut. Nderim për viktimat e krimit shtetëror të luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës, që tronditi mbarë botën dhe qëndron përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet”, shkroi Rama.
Sot shënohet 25 vjetori i Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar të 1999-ës forcat serbe vranë 45 civilë të pafajshëm. Deri më sot, askush s’është gjykuar për këtë krim. /Insajderi.org/