×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama në New York jep mbështetje për Izraelin

    Insajderi
    28 September 2024 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen për Izraelin dhe popullin izraelit, gjatë një aktiviteti të organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve.

    Në një fjalim të gjatë për të pranishmit, Rama kujtoi krimet e komunizmit, duke u shprehur se shqiptarët e kuptojnë dhimbjen e hebrenjve, që u përballën me spastrim nga regjimi nazist.

    “Për ata që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendër të qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave që e ndërtuan. Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijërave shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koreanoverior në mes të Evropës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, ‘ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish’.

    Po e sjell këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshëm që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu dhe nevojën e pakrahasueshme, ashtu dhe nevojën për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre. Jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Madje, u lumturova kur mësova se popullsia në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj se çdo hebre i porsalindur është një bekim jo vetëm për Izraelin, por për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë”, tha ai.

    Rama u shpreh i bindur se si Shqipëria, edhe Izraeli, mund të dalin më të fortë nga çdo sprovë, raporton Tch.

    “Duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, që thoshte: Shpirti nuk mund të digjet në furra, por shpirti triumfon ngaherë. Më lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla e të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, po në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona do të dalin më të forta nga çdo sprovë”.

    Kryeministri kujtoi si vendi ynë strehoi hebrenjtë, kur shtetet e tjera i dorëzonin te armiku.

    “Ndërsa iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë të çeliktë të Besa-fjalës së shenjtë të nderit, që i jepet tjetrit ose një familjeje tjetër dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi”.

    Në fund, organizatorët i dhanë kryeministrit shqiptar Çmimin Global për Udhëheqje CAM.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark