Nga Andi Bushati
Kushdo që e ka dëgjuar dy ditët e fundit Edi Ramën ka mbetur ndoshta i befasuar nga ndryshimi i kursit patriotik në fjalorin e tij. Ai, për herë të parë kritikoi vendimin e Beogradit për të mbajtur zi kombëtare për paramilitarët që ushtruan dhunë dhe vranë një polic pranë Zveçanit. Ai shkoi edhe më tej, duke shpallur se qe një premierë në këtë dekadë të sundimit të tij, që Shqipëria po mbante një linjë të kundërt nga ajo e BE-së, e cila nuk e dënoi, sipas Ramës, me forcën e duhur këtë akt.
Në një shikim sipërfaqësor dhe të pavëmendshëm duket sikur kryeministri ynë e ka bërë ndarjen midis viktimave dhe agresorëve dhe ka vendosur të marrë anë në favor të të parëve.
Por, në fakt thelbi nuk është ashtu siç duket nga forma. Në konferencën e shtypit në kryeministri, ai nuk e fshehu dot çoroditjen e njerëzve që kanë diçka për të fshehur. Në qëndrimin e tij kishte një disproporcion absurd, mes goditjes së fortë që i bënte hallkës më të dobët në Bruksel, zëdhënësit të BE, dhe druajtjes për të etiketuar Vuçiçin, si ideator të sulmit kriminal të 24 shtatorit.
Aty kishte inkoherenca qesharake. Kur BIRN e pyeti nëse ishte i gatshëm të negocionte mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se kjo qe e pamundur, pasi si kryeministër i Shqipërisë e konsideronte veten palë. Ama kur iu desh të përgjigjej nëse ia kishte treguar propozimin e vet për asocacion, Prishtinës dhe Beogradit, ai u mbrojt duke argumentauar se kishte paraqitur një propozim mbi palët.