Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi të enjten se në këtë vend do të arrijnë edhe 90,800 vaksina AstraZeneca kundër koronavirusit.
Në një postim në Facebook, Rama tha se dozat e reja do të arrijnë në fundjavë.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit evropian për shpejtësinë e vaksinimit dhe ne do ta tejkalojmë objektivin e 500 mijë të vaksinuarve brenda majit”, shkroi Rama.
Shqipëria ka filluar vaksinimin kundër koronavirusit në fillim të muajit janar, duke u dhënë përparsi punonjësve shëndetësorë.
Më 28 mars, vendi ka nisur vaksinimin masiv, fillimisht në Tiranë, për të vazhduar më pas në qytete të tjera.
Rama po ashtu tha se numri i të vaksinuarve në Shqipëri, të enjten, kalon 300-mijëshin.
Përveç vaksinave të kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca, Shqipëria ka siguruar vaksina edhe nga prodhuesi amerikano-gjerman, Pfizer/BioNTech, si dhe nga Rusia dhe Kina.
Të gjitha këto vaksina duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.
Sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA, i cili ndjek të dhëna për pandeminë, Shqipëria ka konfirmuar mbi 128,000 raste me koronavirus dhe 2,331 viktima.