
Çmimet e naftës, të benzinës e të gazit janë ngritur në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Kjo është pasuar me reagime të shumta nga qytetarët, ndërsa reagim pati edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama i ka kthyer përgjigje në rrjetin social “Facebook” një komentuesi, i cili i ka kërkuar Ramës që çmimi i naftës të ulet.
“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar më larg, ndërkohë që, siç kam premtuar, ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart”, i ktheu përgjigje Rama një komentuesi.
Qytetari, ndër të tjera, ka shtuar se këto çmime nuk përkojnë me nivelin e rrogës, e për këtë kryeministri shtoi se: “Sa për rrogat, ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj, si në kohën e Sudes, prandaj duhet punë e durim”.