
“Shumë më konstruktiv se herët e kaluara”. Kështu e përshkroi kryeministri shqiptar, Edi Rama, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke folur për takimin e fundit mes tyre saktësisht një javë më parë në Tiranë, shkruan Insajderi.
Edi Rama tha se Kurtit i ka kërkuar që “të nis themelimin” e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe “të garantojë 100%” liritë fetare të serbëve në Kosovës.
“Mund të jetë urë lidhëse për të ardhmen dhe jo problem”, tha Rama në një konferencë për shtyp të “Open Balkan” në Verona, siç e citoi rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, përcjell Insajderi.
Duke folur rreth marrëdhënies së tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ndajnë mendime të ndryshme në veçanti rreth Kosovës. Nëse shqiptarët dhe serbët nuk flasin me njëri tjetrin dhe nëse rrin prapa “Ballkanit të Barrikaduar”, do të jetë vështirë për të gjithë, shtoi ai.
“Nganjëherë kemi mospajtime dhe ka një dallim të madh, veçanërisht kur jemi te Kosova dhe Metohija siç e quani ju, ose Kosovë siç e quajmë ne, dhe kjo nuk është arsye për të mos biseduar. Mendoj se është arsye për të biseduar edhe më shumë”, ka thënë Edi Rama./Insajderi/