Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë takuar jozyrtarisht në Tiranë. Takimin e ka konfirmuar vetë Rama përmes një fotografie të postuar me Thaçin.
“Pas një kafeje në Tiranë”, shkruan kryeministri Rama.
Takimi jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë me Presidentin e Kosovës mbërrin pas vizitës që Rama zhvilloi në Serbi.
Vizita në Beograd e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ka nxitur debat në Kosovë e Shqipëri lidhur me qasjen që Shqipëria duhet të mbajë karshi Kosovës sidomos në kontekstin e marrëdhënies Shqipëri-Serbi.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për Shqipërinë për të zhvilluar dialogun politik me Serbinë, meqë për këtë e ka mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e tij është cilësuar si e nxituar nga përfaqësues të komisionit për politike të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa vetë Rama ka thënë se nuk merr leje nga askush për të folur për Kosovën.