
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë përsëri se vendi i tij dhe Turqia “janë bashkë prej kohësh”. Ai ka treguar për vizitën e tij zyrtare në Ankara dhe tha se në takimet atje është konstatuar se ka potencial të jashtëzakonshëm për të bërë më shumë mes dy vendeve.
“Së bashku me kryeministrin Yıldırım ne jemi angazhuar për të çuar përpara një proces intensiv bashkëpunimi për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomikë dhe tregtare, po ashtu dhe të shkëmbimeve në fushën e arsimit dhe të kulturës, duke bërë që ajo çka ne ushqejmë për njëri-tjetrin si popuj dhe si vende të mos jetë kaq herë më shumë, sesa ajo që në bëjmë realisht nga pikëpamja e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare”, ka thënë ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka folur edhe për sulmin që ndodhi në aeroportin e Stambollit ku mbetën të vdekur së paku 41 persona.
“Në këto ditë të vështira, Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku jetojnë i janë më pranë se kurrë popullit të Turqisë dhe qeveritë tona janë krah për krah në luftën kundër terrorizmit që vret dhe gjakos në emër të një zoti, por që vetëm me Zotin dhe me porositë e profetëve nuk ka asnjë lidhje”./Insajderi.com