Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 7 marsit, ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Shqipërisë, duke thënë se në krye të detyrës po kalojë një vit tejet të vështirë.
“Mirëmëngjesi me një urim nga zemra për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, ata në pension e ata që në krye të detyrës po kalojnë një vit tejet të vështirë, duke i siguruar krejt ata se më e mira është ende përpara nesh, ju uroj të gjithëve një ditë të bukur”, ka shkruar ai.
Përndryshe, dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.
Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.