Ramadan Muja nuk do të dorëhiqet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramadan Muja nuk do të dorëhiqet

    Insajderi
    15 June 2016 - 10:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë se kryetari Ramadan Muja nuk do të japë dorëheqje përkundër një protestë të thirrur për sot në Prizren ku do të këkohet që ai të largohet nga komuna pas vdekjes së një fëmije tre vjeçar pas shembjes së murit të një shtëpie të vjetër.

    Berisha i ka thënë Insajderit se Muja do t’i qëndroj besnik votuesve të tij.

    “Kryetari i Komunës vazhdon me qëndruar besnik votuesve të tij në zgjedhjet e fundit elektorale dhe konsideron se duke iu shërbyer me politika dhe me vendimmarrje administrative po e mbron interesin e qytetarëve dhe vazhdon me përmbush mandatin,” ka thënë ai.

    “Ai është zëri i 36 mijë qytetarëve të cilët me votën e tyre e kanë votuar si kryetar të tyre”, ka shtuar ai.

    Sot në Prizren do të mbahet protestë qytetare, ku do të kërkohet përgjegjësi për vdekjen e tre vjeçares, Xheneta Gashi.

    Përfaqësues të OJQ-ve, kanë treguar se protesta pritet të fillojë nga ora 12:00, në Sheshin” Shatërvani”, ku do të kërkohet dorëheqja e kryetarit të kësaj komune, Ramadan Muja, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që sipas tyre, këta janë përgjegjësitë kryesor për vdekjen tragjike të Xhenetës tri vjeçare.

    Javën e kaluar, një fëmijë tre vjeçar humbi jetën pasi një mur i një shtëpie të vjetër u shemb duke lënduar edhe dy anëtarë të tjerë të familjes.

    Sipas Policisë, shembja e murit ka ndodhur pas reshjeve të shiut dhe se në gjendje të rëndë janë edhe nëna me fëmijë tjetër, 10 vjeçar.

    Ngjarja tragjike ka nxitur Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prizrenit që të fajësojnë njëra tjetrën si përgjegjëse për atë zonë.

    Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se ministria ka insistuar që ajo zonë ku ka edhe shtëpi të tjera të vjetra duhet të ruhet, porse sipas saj, ata kanë dërguar kërkesë nga Komuna e Prizrenit që të ndërmarrë masa për të siguruar ambientin.

    Kryeprokurori Hoxha ka thënë se në këtë rast ka elemente të neglizhencës.  “Ka diçka, me siguri do të ketë diçka.  Sigurisht që ne do të marrim ndonjë veprim”, ka thënë ai.

    Shtëpia e vjetër në Zonën Historike të Prizrenit, një mur i së cilës u shemb sot gjatë ditës, ku një fëmijë 3-vjeçar gjeti vdekjen, ndërsa nëna e saj dhe tjetri fëmijë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka qenë në listën e shtëpive në të cilat Komuna e Prizrenit thotë se ka pasur në plan të intervenoj duke mënjanuar rrezikun nga shembja.

    Komuna e Prizrenit ka një muaj që ka hapur tenderin për intervenim në këto shtëpi, por si pasojë e vonesave burokratike të tenderimi është vonuar./Insajderi.com

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark