Eksperti i sigurisë Burim Ramadani ka folur lidhur me aktakuzën që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska.
Ramadani ka thënë që nga viti 2018 Milan Radojçiq nuk ka hyrë legalisht në Kosovë, pasi ka pasur fletarrest.
Ai tha se i është tërhequr fletarresti në shkurt 2019 por i është rikthyer në maj të atij viti.
Në këtë mënyrë, Ramadani pyeti sesi është e mundur që vila e Radojçiqit të ndërtohet në vitin 2021 e 2022, duke iu referuar aktakuzës së Prokurorisë.
“Radojçiqi prej nëntori vitit 2018 nuk ka hy në Kosovë në mënyrë legale, më 23 nëntor vitit 2018 banesa në veri e Radojçiqit është bastisur prej Policisë Speciale të Kosovës, atëherë ju ka ngritur aktakuza. Në shkurt 2019 i është tërhequr fltetarresti, në maj 2019 i është kthyer fletarresti e kurrë më s’ju ka tërheq. Prej nëntorit 2018 ky terrorist nuk ka hyrë legalisht në Kosovë”, ka thënë ai.
“Por, si është e mundur që vila në pronën e Ministrisë së Bujqësisë është ndërtu në vitin 2021 e 2022, sepse kështu po e thotë dokumenti i Prokurorisë”, ka pyetur Ramadani në Pressing.