Ilir Kërçeli, shef i Kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas arrestimit të shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu- Heretica. Përmes një video në Facebook, Kërçeli kërkoi llogari nga Përparim Rama për heshtjen e tij pas arrestimeve të tre zyrtarëve të kryeqytetit.
Kërçeli tha se Rama po hesht për arrestimin e Fadil Aliut-Herticën, por gjatë fushatës zgjedhore e falënderonte atë, shkruan Insajderi.
“Si duket borxhi i fushatës nuk po kompensohet as me tenderat e dhuruar për familjarët e afërt të arrestuarit në fjalë“, tha ai.
Tutje, Kërçeli tha se Rama nuk po reagon pasi që po frikësohet.
“I ka mbetur vetëm keqpërdorimi, trajtimi i kryeqytetit tonë si mundësi për t’i kënaqur interesat private dhe abuzuese. Kjo nuk është heshtje e maturisë por e frikës“, u shpreh Kërçeli.
Ndryshe, dje Gazeta Insajderi ka mësuar se shefi i personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu- Heretica është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ai dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka punësuar rreth 10 persona në Qendrën për Punë Sociale.
Gazeta Insajderi kishte raportuar se si i pari i Prishtinës, Përparim Rama iu kishte dhënë tender vëllezërve Hertica, duke ua kthyer kështu ndihmën që biznesmenët ia kishin dhënë gjatë fushatë zgjedhore 2021.
Heretica është një nga njerëzit me të afërt të Përparim Ramës.
Tentativat e akterëve kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta ‘rehatuar’ Fadil Aliun e Herticëve nuk kanë qenë të pakta.
Më 19 tetor të 2020-ës, Qeveria Hoti e pati emëruar Fadil Aliun si anëtar të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, i cili më pas u shkarkua pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.
Aliu- Hertica ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit të 2017-ës. Kishte arritur të marrë vetëm 2 mijë e 841 vota.
Aliu që nga viti 2005 është pjesë e Institutit Riinvest, fillimisht si hulumtues, pastaj nga viti 2007 si hulumtues i lartë, nga viti 2009 si prodekan për mësim, ligjërues dhe drejtor menaxhues, në vitin 2012 ai ka marrë pozitën e drejtorit financiar në këtë Institut dhe ka vazhduar të jetë ligjërues.
Në vitin 2013 Aliu është emëruar drejtor i Departamentit Ekonomik dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe ligjërues.
Nga tetori i vitit 2014 ai është ligjërues në Kolegjin Riinvest. Ai ligjëron lëndët “menaxhimi i bankave dhe operacionet financiare”, “menaxhmenti financiar”, “makroekonomia” si dhe “statistika për ekonomistë”.
Me 7 dhjetor, Përparim Rama ka pranuar detyrën e postit të kryetari të Komunës së Prishtinës. Rama arriti të fitoi 41 mijë e 746 vota apo 50,98 përqind.