Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, sërish ka konfirmuar besnikërinë e tij për partinë e tij të re, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku aderoi pak kohë më parë.
Ish-anëtari i AAK-së për shumë vite dhe i PDK-së, tha se besnikëria nuk mund të matet me numrin e partive por me punën që bën për partinë në të cilën aktualisht një politikan ndodhet.
“Besnikëria nuk matet me numrin e partive, por në momentin e aderimit në atë parti, se çfarë vepron e punon për atë parti”, ka thënë ai.
“Në momentin kur aderoj në atë parti punoj në atë parti,” ka thënë ai në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini.
Për më tepër, ai ka thënë se do të pensionohet tek LDK-ja dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në këtë parti edhe nëse në të ardhmen nuk do të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit. Kjo sepse siç tha ai, “tani jam rikthyer në gjirin familjar.”
Kelmendi kishte folur për besnikëri ndaj partisë së re vetëm pak kohë pas aderimit në LDK./Insajderi.com