
Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj, siç i quan ai, “bedelët politikë dhe medial”, të cilët po përpiqen të manipulojnë opinionin publik lidhur me qëndrimet e tij politike dhe aleancat zgjedhore.
Në një deklaratë publike, Lladrovci thekson se që nga viti 2016 ka mbajtur një vijë të qartë politike pa hyrë në koalicione publike apo të fshehta, pavarësisht presioneve dhe zhvillimeve të ndryshme në skenën lokale.
“Koalicioni im i vetëm ka qenë dhe mbetet me qytetarët e Drenasit. Kjo është lidhja që nuk është thyer asnjëherë,” u shpreh ai. L
Lladrovci gjithashtu hodhi poshtë zërat që e lidhin me ndonjë afërsi me Vetëvendosjen, duke i quajtur këto insinuata si përpjekje të dështuara për ta goditur, përfshirë edhe përpjekjet në emër të barazisë gjinore nga përfaqësuese të VV-së si Dejona, Saranda dhe Albulena.
Ky është statusi i tij i plotë:
Propagandës së bedelëve politikë po iu bashkohen edhe disa bedelë medial
Koalicioni im me qytetarët e Drenasit, ka qenë qëndrimi prej të cilës nuk kam lëvizur asnjëherë, me gjithë zhvillimet në zgjedhjet lokale në Drenas, nga viti 2016, me vendosmëri kam kundërshtuar koalicionet publike apo të fshehta.
Nëse më do qytetari, jam në rregull, ndërsa koalicionet në Drenas i kam kundërshtuar për shumë arsye. Tendenca për të më bërë me koalicione të hapura dhe të fshehta, janë shkollë e njohur, shkollë të cilën e kam mund tri herë dhe me qytetarët sërish do ta mund.
Tellallët origjinal të Vetëvendosjes, u përpoqën të nxisin në fillim sikur kam linja të afërta me ta, më vonë, Dejona, Saranda e Albulena, u përpoqën të më godasin por pa sukses, në pikën time të fortë – barazinë gjinore.
Kur kjo nuk ju pati sukses, tash, me tendencë të goditjes më të sofistitikuar për qytetarët e Drenasit, shpifja moti e lansuar nga keqbërësit, paska gjetur strehë në një faqe të Vv, sikur unë kam përkrahje nga Vv. Tashmë po shihet se propagandës së bedelëve politikë po i bashkohen edhe dy a tre bedelë medial.
Unë kam koalicion vetëm me qytetarët e komunës së Drenasit, kështu ka qenë dhe kështu mbetet. Qytetarët kampion pa dallim, votojnë kryetarin kampion, kjo lidhje dhe ky koalicion imi me qytetarët e komunës së Drenasit është shumë e fortë dhe keqbërësit me bedelët politikë e medial, nuk do të kenë sukses.
Kjo fitore, tashmë po ecë pandalshëm dhe po realizohet për 101 arsye!