Ambasadori në largim i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për dorëheqjen e tij nga posti i Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, pasi është kandiduar zyrtarisht nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit.
Lladrovci, përmes një letre njoftuese dërguar presidentit të Kosovës, ka shfrytëzuar rastin të mburret me punën e tij në postin e ambasadorit, pozitë të cilën e mbajti për rreth dy vite.
“Duke ju falenderuar përzemërsisht për emërimin tim në detyrën e lartë të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, më lejoni që sot, të paraqes para Jush dhe Institucioneve të Kosovës, dorëheqjen time të parevokueshme, për shkak të kandidimit tim në postin e Kryetarit të Komunës në Drenas”, shkruhet në letrën e Lladrovcit.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka shfrytëzuar letrën e tij dërguar presidentit Thaçi, për të treguar arritjet që sipas tij, “janë vlerësuar në nivele të larta”.
“Në të gjithë periudhën që kam ushtruar detyrën e lartë të ambasadorit në Tiranë, kam bërë të gjitha përpjekjet për të krijuar klimën E bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes dy shteteve tona dhe jam i lumtur që puna ime është cilësuar në nivele të larta”, shkruan Lladrovci.
Kjo letër e Lladrovcit nuk iu është adresuar vetëm presidentit Hashim Thaçi, por edhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ramiz Lladrovci ishte emëruar në pozitën e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, pasi ndaj ish-ambasadorit Sylejman Selimi ishte ngritur aktakuzë për krime lufte. /Insajderi.com