
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi ku ai dëgjohet duke biseduar me disa asamblistë për çështje pronash.
Në reagimin e tij, Lladrovci ka deklaruar se incizimi është i cunguar dhe i realizuar në mënyrë të paligjshme nga ish-asamblisti i PDK-së, Arigon Sinani. Sipas tij, qëllimi i publikimit është shantazhi dhe ushtrimi i presionit në kuadër të fushatës zgjedhore.
“Jam i gatshëm të publikoj vetë incizimin e plotë, sepse nuk kam çka të fsheh. Në të do të shihet qartë kush ka mbështetur mbrojtjen e pronës dhe kush ka tentuar ta mbajë të uzurpuar atë,” ka thënë Lladrovci.
Lladrovci shtoi se shantazhet nuk do të ndikojnë në fushatën e tij dhe se, siç tha, mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e interesit publik.