Raporti i DASh-it përmend aktakuzën ndaj Radoiçiqit për sulmin në Banjskë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Raporti i DASh-it përmend aktakuzën ndaj Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

    Insajderi
    22 March 2025 - 08:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Byroja për Narkotikët Ndërkombëtarë dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit e Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2025 mbi Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve.

    Kjo strategji, e njohur si INCSR, fokusohet në përpjekjet për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve të paligjshme, përfshirë ato të lidhura me narkotikët.

    Në të, përmendet edhe aktakuza e ngritur nga institucionet e Kosovës ndaj Millan Radoiçiqit dhe 44 personave tjerë të ndërlidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    “Në Kosovë, duke përdorur shkathtësitë dhe mentorimin e mësuar nga OPDAT, një prokuror ngriti aktakuzë ndaj 45 të pandehurve, përfshirë edhe ndaj të sanksionuarit nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), Millan Radoiçiq, nënpresidenti i partisë kryesore të serbëve të Kosovës”, u tha në raport.

    Gati një vit pas sulmit në Banjskë, Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator, 2024 njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe ndaj Millan Radoiçiqit – për sulmin në Banjskë.

    Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

    OPDAT është Zyra Ndërkombëtare e Zhvillimit Prokurorial, Ndihmës dhe Trajnimit në ShBA. Kjo zyrë është themeluar nga Departamenti i Drejtësisë më 1991.

    Raporti i Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve (INCSR) është një raport vjetor i hartuar nga Departamenti i Shtetit për Kongresin i përgatitur në përputhje me Aktin e Ndihmës së Huaj. Ai përshkruan përpjekjet e vendeve kyçe për të luftuar të gjitha aspektet e tregtisë ndërkombëtare të drogës brenda një viti kalendarik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark