Serbia nuk ka bërë asnjë përparim në proceset zgjedhore apo në sistemin gjyqësor, ndërsa përparim i moderuar është bërë në reformat e administratës publike, pretendohet në raporti të Komisionit Evropian mbi përparimin e Serbisë. Raporti do të paraqitet në Bruksel sot gjatë ditës.
Raporti, të cilin e ka pasur në shikim N1, thotë gjithashtu se Serbia ka bërë përparim kur bëhet fjalë për çështje ekonomike dhe fiskale. Pretendohet se ka pasur një ulje të deficitit buxhetor dhe aktivitet të arsyeshëm fiskal, por se nuk ka asnjë reformë fiskale.
Gjithashtu pretendohet se shteti është akoma lojtari kryesor në sferën ekonomike, ndërsa sektori privat ka probleme për shkak të sundimit të dobët të ligjit.
Në raport thuhet se ka pasur rënie të papunësisë, por shpjegohet se arsyeja është emigrimi shumë i madh i të rinjve.
Pretendohet se arsimi është problem, gjegjësisht nuk i plotëson kërkesat e tregut.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet, thuhet se të gjithë ishin të lejuar të merrnin pjesë dhe të bënin fushatë, por që mediat më të mëdha i favorizonin strukturat qeverisëse.
Shtohet se dialogu është thelbësor dhe se asnjë rekomandim nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) nuk është përmbushur dhe se përbërja e parlamentit nuk përputhet me pluralizmin politik.
Pretendohet se ekziston një shqetësim serioz për shkak të ndikimit politik në gjyqësor.
Ka përparim të pjesshëm në luftën kundër korrupsionit, thotë raporti, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Kur bëhet fjalë për korrupsionin, ka shqetësime serioze sepse nuk ka mekanizma të parandalimit dhe numri i gjykimeve është zvogëluar.
Lidhur me mediat, thuhet se Serbia ka një strategji për media, por i mungon implementimi. Sipas raportit, ekziston shqetësim serioz për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve.
Negociatat midis Kosovës dhe Serbisë kanë vazhduar, por është e nevojshme të arrihet një marrëveshje, dhe Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, thuhet në raportin e Komisionit Evropian./Insajderi.org.