Parlamenti Evropian mbrëmë ka miratuar Raportin e Komisionit Evropian për Serbi. Raporti është miratuar me 538 vota për, 69 kundër dhe me 79 apstenime.
Në raport, në mes tjerash, kërkohet nga Serbia që të bashkëpunojë përkitazi me krimet e luftës dhe hetimet e rasteve të personave të zhdukur, duke përfshirë përpjekjet e intensifikuara në njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore për krimet e luftës, hulumtimet e varrezave masive, braktisjen e gjuhës së urrejtjes dhe lavdërimit të kriminelëve të luftës dhe ofrimin e ndihmës prokurorëve vendas në kapjen e autorëve të krimit dhe dorëzimin e tyre drejtësisë.
Gjithashtu bëhet thirrje për autoritetet serbe të dënojnë të gjitha format e gjuhës së urrejtjes, fushatat e frikësimit dhe miratimit publik dhe mohimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Shprehet keqardhje që disa zyrtarë qeveritarë dhe politikanë vazhdojnë të mohojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe mirëpret punën e organizatave të shoqërisë civile në fushat e pajtimit, drejtësisë tranzicionale dhe dëmshpërblimeve të duhura.
Serbia pritet gjithashtu të bashkëpunojë plotësisht me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, gjegjësisht me pasardhësin e saj Mekanizmin Ndërkombëtar. Serbisë po i kërkohet të kundërshtojë përpjekjet për të minuar rezultatet e arritura deri më tani, si dhe të falsifikojë faktet të cilat i ka vërtetuar Tribunali i Hagës./Insajderi.org.