Kompania sllovene me bazë në Kosovë, Valicon, për hulumtime tregu dhe opinioni publik ka reaguar lidhur me raportimet për transaksionet e kompanisë amë në Slloveni me GEN-in, ku kishte punuar më herët ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në reagimin e kësaj kompanie, mohojnë që kryeshefi ekzekutiv i kompanisë amë, Andraz Zorko, ka qenë në kontakt me përfaqësues të GEN-it dhe thonë se këta të fundit s’kanë qenë kurrë burim financiar. Sipas Valicon, GEN-i është vetëm një nga klientët që pranon shërbime nga firma për hulumtimin e tregut në Slloveni.
Raportimet në media erdhën pasi një sondazh i kësaj kompanie vendosi subjektin politik, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën me 52 për qind për zgjedhjet parlamentare.
Reagimi i plotë i Valicon:
Valicon është një kompani ndërkombëtare për hulumtime tregu dhe opinioni publik, e themeluar në vitin 1996 në Lubjanë, Slloveni dhe është një nga liderët në rajonin e Adriatikut. Sot, kompania operon në vendet e Ballkanit Perëndimor, me zyra në Zagreb (Kroaci), Beograd (Serbi), Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë), dhe, që nga viti 2023, në Prishtinë (Kosovë). Pronarët e kompanisë janë shtetas sllovenë. Valicon është gjithashtu anëtare e Shoqatës ESOMAR për hulumtuesit e tregut.
Një nga veprimtaritë e kompanisë është gjithashtu realizimi i sondazheve të opinionit publik dhe hulumtime mbi preferencat politike të qytetarëve, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Kështu, midis viteve 2000 dhe 2024, kemi kryer një numër të madh sondazhesh në këtë fushë, nga parashikimi i rezultateve të zgjedhjeve deri te të ashtuquajturat “Exit polls” në ditën e zgjedhjeve, shumica prej tyre në Slloveni. Valicon njihet në Slloveni si kompania me parashikimet më të sakta, çka e dëshmuam herën e fundit në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë në prill të vitit 2022.
Sondazhi i publikuar së fundmi në Kosovë ishte i pari i këtij lloji në Kosovë dhe u realizua sipas të njëjtës metodologji që ne përdorim në Slloveni (https://www.valicon.net/sl/2022/04/volilnanapoved-druzbe-valicon/). Hulumtimi u realizua me iniciativën e Valicon-it dhe nuk u financua nga asnjë kompani, organizatë apo person.
Pas publikimit të rezultateve, në media u shfaqën disa pretendime të pavërteta rreth Valicon-it dhe njërit prej drejtorëve të Valicon-it në Slloveni, Andraž Zorko, të cilat janë plotësisht të pavërteta dhe të dëmshme.
GEN-I është vetëm një nga klientët që pranon shërbime nga Valicon-i në Slloveni, me të cilin kemi bashkëpunuar që nga viti 2016. Shumat e përmendura në media janë pagesa për shërbimet e hulumtimit të tregut që i kemi realizuar për këtë kompani dhe nuk dallojnë në asnjë mënyrë nga mënyra se si bashkëpunojmë dhe ofrojmë shërbime për të gjithë klientët e tjerë.
Akuzat në lidhje me drejtorin ekzekutiv të Valicon Ljubljana, Andraž Zorko, janë gjithashtu plotësisht të pavërteta:
● Andraž Zorko nuk ka marrë kurrë asnjë burim financiar nga Gen-I dhe nuk ka qenë kurrë në kontakt me përfaqësuesit e Gen-I.
● As Andraž Zorko dhe as ndonjë nga stafi i Valicon nuk e njeh z. Berishaj apo ka pasur kontakte me të.
● Andraž Zorko konsiderohet një nga ekspertët kryesorë në fushën e sondazheve të opinionit publik në Slloveni, për çka është shpesh komentues në media dhe i ftuar në konferenca dhe ambasada të ndryshme.