
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka informata për një ndërhyrje eventuale të KFOR-it në veri të Kosovës.
Në lidhje me raportimet e mediave, bazuar në informacione jozyrtare, se të hënën pasdite pritet të vijë ndërhyrja e KFOR-it në veri të Kosovës, Kurti ka thënë se situatën e sigurisë në veri momentalisht është duke e vlerësuar Policia e Kosovës.
“Përmbajtja e vendimeve që ne si qeveri nuk marrim vendime pa vlerësime mbi situatën e sigurisë nga Policia e Kosovës, të cilët ndodhen atje. Nuk kam informacion të tillë për përgatitje për ndërhyrje nga KFOR-i në veri”, ka deklaruar Kurti në një konferencë për media.
Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët për “qetësi dhe durim” në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Siç raportoi sot Albanian Post, trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të njohura si Forca e Kosovës, apo KFOR, janë gati për të intervenuar në Veri të Kosovës, aty ku prej një jave ka mbetur gjithçka e bllokuar pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.
Albanian Post mësoi se ndërhyrja e KFOR-it pritet që të bëhet në orët e vona të pasdites, gjatë kësaj të hëne.