Përgjatë ditës është raportuar për tërheqje të Policisë së Kosovës nga veriu në drejtim të jugut të Mitrovicës. Sipas REL-it, një gjë të tillë e ka kërkuar një pjesëtar amerikan i KFOR-it.
Lidhur me këtë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti për Gazetën Insajderi, ka thënë se policia po vazhdon t’I përmbushë detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në komunat veriore të vendit.
“Policia e Kosovës kryen të gjitha detyrat dhe autorizimet e saja ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë si dhe ruajtjen e rendit kushtetues të RKS-së në tërë territorin e vendit duke përfshirë edhe komunat veriore”, thotë ajo.
“Sipas situatës në terren dhe vlerësimeve operacionale të cilat bëhen në vazhdimësi , Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja me njësitë policore në terren për të përmbushur detyrat dhe autorizimet e saja ligjore në komunat veriore të vendit”, përfundon deklarimin Mehmeti.
Përgjatë ditës së sotme, trupa të KFOR-it janë parë duke lëvizur në drejtim të veriut, për shkak të situates së tensionuar atje.
Situata u tensionua nga protestuesit lokalë serbë, pas arrestimit të Milun Milenkoviq – Lune, krimineli serb i cili dyshohet të ketë sulmuar zyrtarët policorë dhe pjesëtarë të trupave të KFOR-it në dhunën e 29 majit.
Arrestimin e Milenkoviq e konfirmoi Sveçla, i cili tha se “Lune” është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në veri.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka shkruar Sveçla.
Gazeta Insajderi mësoi se “Lune” është trajner i njohur i kikboksit në Mitrovicën e Veriut. /Insajderi.org/