Raportimet se Njësia Speciale do të ndërhyjë në Veri - Flasin nga Policia e Kosovës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportimet se Njësia Speciale do të ndërhyjë në Veri – Flasin nga Policia e Kosovës

    Insajderi
    10 December 2021 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mediat serbe kanë raportuar se Njësia Speciale e Kosovës është duke u bërë gati për një aksion në veri të vendit. Këto raportimet i ka demantuar zëdhënsi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    Kelani i tha Gazetës Insajderi se shkrimet e tilla të mediave serbe janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik.

    Ai ka theksuar se Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore.

    “Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore”, ka thënë për Insajderin Kelani.

    Gazeta serbe “Kurir” që i shërben drejtpërdrejt presidentit Aleksandër Vuçiq ka shkruar sot se Policia e Kosovës po përgatit një operacion në veri me forcat e saj speciale. Ky medium ka shkruar se njësitë speciale të policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pjesën jugore të Mitrovicës që nga mëngjesi i sotëm. Sipas tyre ata po qëndrojnë në bazën e policisë speciale Belvedere me diku 100 pjesëtarë të armatosur që janë në gjendje gatishmërie.

    “Kurir” raporton se tri makina të policisë speciale janë duke qëndruar gati teksa një njësi tjetër është dërguar nga Prishtina.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark