×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Raportimi i Insajderit | Byroja e Sigurimeve shpall konkurs për Drejtorin Ekzekutiv

    Insajderi
    07 November 2024 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar një seri shkrimesh që Byroja Kosovare e Sigurimeve po vazhdonte punën me ushtrues detyre të Drejtorit Ekzekutiv, ani pse BQK i kishte thëne që të shpallte konkurs. Edhe pse nuk janë përgjigjur në pyetjet e Insajderit, pas këtyre raportimeve, BKS ka shpallur tashmë konkursin. Atë e ka bërë përmes një kompanie tjetër.

    Njoftimi për vend pune në pozitën e “Drejtor Ekzekutiv” është shpallur nga kompania “The HeadHunter Group” në platformën e punësimit KosovaJob.

    Siç thuhet në shpallje, kjo pozitë bën pjesë në kategorinë e “Menaxhimit Ekzekutiv,” me orar pune të plotë dhe ndodhet në Prishtinë.

    Afati për aplikim është deri më 26 nëntor 2024 (20 ditë nga data aktuale).

    “The HeadHunter Group” përshkruhet si një kompani inovative në fushën e punësimit dhe rekrutimit, me seli në SHBA, Dover, Delaware, dhe shtrihet në shumë vende, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Kanadanë, dhe disa vende të tjera të Ballkanit dhe Evropës.

    Çka raportoi Gazeta Insajderi?

    Edhe pse Banka Qendrore nuk e aprovoi as konkursin ku Shefik Gërbovcit u bë Drejtor të Byrosë, Asambleja e BKS si kundërpërgjigje ndaj këtij institucioni shtetëror ia kishte vazhduar mandatin si ushtrues detyre- duke shpërfillur këtë mekanizëm mbikëqyrës.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) muaj më parë bëri një konkurs të brendshëm, ani pse i ishte kërkuar që ai të ishte publik. Personi që ushtronte detyrën e shefit të këtij institucioni, Shefik Gërbovci edhe doli fitues, pasi që edhe ishte ushtrues i detyrës edhe pjesë e konkursit.

    Emri i tij, sipas rregullave, do të dërgojë tek mbikëqyrësi i sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

    Por, kjo e fundit nuk e aprovoi as konkursin me të cilin Shefik Gërbovcit u bë shef i Byrosë, e megjithatë ai mbetet në atë pozitë, ani pse krejt situata ligjore nuk sqarohet as nga njëra e as nga pala tjetër -edhe pse Insajderi ka pritur për përgjigje për disa ditë radhazi.

    Fillimisht Gazeta Insajderi e ka pyetur Bankën Qendrore, e cila komenton që vet procesi me të cilin organet menaxheriale të Byrosë e vendosë në krye Gërbovcin, duhet të kthehet në pikën zero.

    “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pasi ka shqyrtuar kërkesën e BKS-së, ne pajtim me mandatin e saj, i ka kthyer përgjigje BKS-së përmes të cilës i ka bërë me dije se procesi për përzgjedhje të drejtorit ekzekutiv duhet të ri-përsëritet, në pajtim me parimet e qeverisjes korporative, duke siguruar një proces konkurrues dhe transparent, që BQK të mund të vlerësojë atë në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Gazetës Insajderi.

    Pra, si të tillë, sipas këtij mekanizmi mbikqyrës, vet  “BQK nuk ka vlerësuar përshtatshmërinë e kandidateve të dalë nga ai proces. Kjo pozitë është e rëndësishme për shkak të mandatit dhe përgjegjësive që BKS i janë ngarkuar me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Autopërgjegjësisë”.

    Edhe pse Byroja ende nuk ka shpallur konkurs të ri, e publik, BQK-ja edhe pse ka mandat për të detyruar institucionet që mbikëqyr në zbatim të ligjit dhe urdhëresave që lëshon vet Banka Qendrore, ky institucion i ka thënë Insajderit se me këtë çështje më nuk është marrë.

    “Pas kësaj përgjigje, kjo çështje konsiderohet e përmbyllur nga BQK, dhe në presim të shqyrtojmë procesin e ri të përzgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv me mandat të plotë, në pajtim me këto kërkesa”, thuhet në përgjigjen e BQK-së që i ka dhënë Gazetës Insajderi.

    Sipas këtij institucioni, “është përgjegjësi e organeve të BKS-së të sigurojnë qeverisje të mirë që reflekton parimet më të mira, në pajtim me pritjet rregullatorë”.

    Por, Banka Qendorere flet pak edhe për përgjegjësitë e saja, në një shkresë dërguar GAzetës Insajderi, pas pyetjeve që ka dërguar mediumi.

    “Sikurse është plotësisht në përgjegjësinë e BKS të përzgjedh kandidatët mbi bazën e kërkesave të legjislacionit dhe meritës nga një proces konkurrues e transparent, dhe BQK, nuk ka ndërhyrë dhe as ndërhyn në atë përzgjedhje, në asnjë mënyrë dhe në asnjë nivel”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhe ky institucion shton se “BQK është e përkushtuar që drejtuesit kyç në industrinë financiare, për të cilët kërkohet me legjislacion miratimi i BQK-së të jenë të përshtatshëm dhe të duhur, me nivel të duhur të profesionalizmit, që i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të sistemit financiar duke përfshirë edhe BKS-në”.

    Vetëm pasi që janë informuar me këtë përgjigje të BQK-së, në postën elektronike të Insajderit ka ardhur edhe një përgjigje nga Byroja e Sigurimeve.

    Në këtë përgjigje ata citojnë bazën ligjore, sipas të cilës, ata pretendojnë që janë organet menaxheriale të Byrosë që e bëjnë edhe formën se si do të zgjidhet i pari i këtij institucioni dhe se qëndrimi i Shefik Gërbocit në këtë pozitë edhe pasi që BQK-ja e ktheu konkursin në pikën zero, është i ligjshëm.

    “Asambleja e Përgjithshme e BKS, në baze te Nenit 12, pika J lidhur me nenin 15, paragrfi 2dhe 3, te Statutit te BKS, ka vazhduar emërimin e Ztr. Gerbovci si U.D. Drejtor Ekzekutiv. Gjithashtu, BKS konform Rregullores se BQK për – “Standardet e raportimit dhe të mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit”, ka njoftuar BQK-ne me kohë:, thuhet në përgjigjen e Byrosë dhënë Insajderit.

    Asambleja e Përgjithshme e BKS, sipas përgjigjes dhënë Insajderit, “konform Statutit të BKS të aprovuar nga BQK, në kompetencë ekskluzive ka mënyrën e përzgjedhjes dhe emërimin e drejtorit ekzekutiv:, thuhet në përgjigje dhe shtojnë se ky organ i Byrosë është duke e trajtuar këtë çështje dhe “në ndërkohë, ju sigurojmë juve dhe opinionin, që në BKS punët janë duke u zhvilluar me normalitet”.

    Në qershor të këtij viti Gazeta Insajderi raportoi për mënyrën se si Shefik Gërbovci u zgjodh në krye të Byros në një konkurs që nuk ishte publik e ku ai ishte edhe ushtrues detyre i Drejtorit të BKS-së e edhe kandidat, që doli fitues.

    Gazeta Insajderi javët e fundit ka pasur një seri raportimesh në lidhje me zhvillimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe masat që ka marrë BQK-ja në një vendim e që prekin drejtues të lartë të industrisë së sigurimeve edhe nëpër kompani private.

    BQKbskshefki gerboci

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark