Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për shfrytëzimin e objekteve private për votimin jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare.
Kjo, pasi që anëtarët e KQZ’së nuk e votuan rendin e ditës, rrjedhimisht edhe kërkesa e Gërvallës nuk u votua, raporton Insajderi.
Insajderi raportoi sot se kryediplomatja Donika Gërvalla, ia ka dërguar një letër kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, duke ushtruar trysni për formën se si të mbahen zgjedhjet jashtë vendit. Në këtë letër, ajo ka kërkuar hapësira shtesë për qendra votimesh jashtë Kosovës. Vetëvendosja, parti kjo e cila është në koalicion me partinë e Gërvallës, ka pasur një numër të madh votash në mërgatë në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë letrën, ku Gërvalla njofton se ka përzgjedhur disa hapësira shtesë për vendvotim për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të vitit të ardhshëm. Në letër pretendohet se këto hapësira plotësojnë “të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore”.
“Përmes kësaj shkrese ftoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë hapësirat e ofruara, si më poshtë, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe të njejtat t’i miratojë me procedurë të rregullt ligjore, si vendvotime për votimin fizik jashtë vendit”, thuhet ndër të tjera.
“Në këtë kontekst, vlerësojmë se hapësirat e propozuara plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara ligjore dhe, si të tilla, duhet të miratohen nga organet e brendshme vendimarrëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Miratimi i këtyre hapësirave nga ana e KQZ-së krijon kushtet dhe hap rrugë që përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për kontraktimin e tyre nga organet publike/lokale ose dhe operatorët privat, para dates 2 dhjetor 2024, kur edhe planifikojmë t’iu përcjellim shteteve pritëse informacionet e përditësuara përmes korrespodencës, pas njoftimit paraprak që ua kemi bërë në rrugën diplomatike”, vijon letra tutje.
Gërvalla ka dhënë edhe interpretime ligjore, duke u thirrur në atë që Lëvizja Vetëvendosje e kishte bërë në ankesën në PZAP dhe Gjykatë Supreme për ankimin e vendimit të KQZ’së për kufizimin e numrit të votuesve dhe qendrave jashtë vendit – privimin në votim.
“Si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ndajmë obligimet me KQZ-në në kuadrin e organizimit të zgjedhjeve jashtë vendit dhe theksojmë se nuk ka asnjë lloj pengese ligjore në miratimin e hapësirave të propozuara. Përkundrazi, shkelje paraqet privimi i votuesve nga e drejta e tyre ligjore për të zgjedhur vet mënyrën e votimit. Ligjet tona nuk përcaktojnë kufizime të hapësirave, ngjashëm me to, kufizime nuk përcaktojnë as dispozitat e aplikueshme ndërkombëtare. Hapësirat e përfaqësive tona, përveç atyre që janë blerë dhe janë tashmë në pronësi të shtetit të Kosovës, shumica janë pronë private dhe e marrë në shfrytëzim me qira”. /Insajderi.org/