×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Raportimi i Insajderit, IPK fillon hetimet për policin pejan që nxjerri të dyshuarin nga stacioni për ta dërguar në dasmë

    Insajderi
    28 July 2024 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sead Hamziç, hetues në stacionin policor të Pejës, është denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për një veprim skandaloz që ka bërë. Ndaj tij tashmë kanë filluar edhe hetimet.

    Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, ka konfirmuar për Insajderin se po trajton informacionet lidhur me këtë rast dhe se IPK do të ndërmarrë veprime dhe masa konform ligjit.

    “Mund të konfirmoj se IPK është duke trajtuar informacionet lidhur me këtë rast. Hetuesit do të ndërmarrin veprime hetimore dhe masa konform autorizimeve ligjore të IPK-së”, ka deklaruar Hodaj për Insajderin.

    Duke iu referuar një ankese të dorëzuar nga një zyrtar i lartë policor, të cilën e ka parë Insajderi, aty pretendohet se Hamziç kishte marrë një të dyshuar të arrestuar për armëmbajtje pa leje në një aheng nga qendra e ndalimit për ta rikthyer në dasmë për 30 minuta.

    Sipas ankesës, krejt këto ai i ka bërë me “izën” e Prokurorit kujdestar, Dorjan Juniku.

    “Seadi me tha po e dërgoj ne darsem 30 minuta dhe e kthej prap se kam fol me prokurorin dhe me ka thëne mos me humb kohe me shumë”, thuhet në ankesën që e ka parë Insajderi.

    “…ndërkohe kam telefonuar dhe Prokurorin kujdestar Dorjan Juniku te cilit i kam thënë se a je ne njohuri dhe a ke leshur ndonjë vendim tjetër për lirimin e te dyshuarit sepse Seadi e ka nxjerr pa dijeninë time te dyshuarin nga ndalimi policor dhe po thirret ne emrin tënd qe i ke thënë me dërgua ne darsem 30 min, Prokurori me ka thëne se Seadit i kam thëne qe ju i dini procedurat tuaja dhe nëse keni mundësi mundeni me dergu ne dasmë 30 minuta dhe e ktheni prap”, vijon ankesa.

    Pas një telefonate që ankuesi e kishte bërë me eprorët menaxhues të Policisë në Pejë, polici Hamziç, siç pretendohet në ankesë, e ka kthyer të dyshuarin menjëherë në mbajtje.

    Ankesa tutje precizon se Hamziç është i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, mirëpo i njëjti ka përzgjedhur qëllimisht ta trajtonte rastin ku do të synonte ta nxjerrte nga paraburgimi Eldin Muminoviç.

    Eldin Muminoviç, Erhad Muminoviç dhe Almir Memiç janë arrestuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku nga një aheng në një restorant në Pejë janë konfiskuar dy armë zjarri dhe në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 46 gëzhoja të pistoletës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark