Raportimi i Insajderit për ndërhyrjen e MAShT në Universitetin e Pejës, Prokuroria nis hetimet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportimi i Insajderit për ndërhyrjen e MAShT në Universitetin e Pejës, Prokuroria nis hetimet

    Insajderi
    04 July 2025 - 21:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore e Pejës, ka nisur hetimet pas raportimit të Gazetës Insajderi lidhur me ndërhyrjen e MAShT në Universitetin e Pejës.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Insajderi se të gjitha veprimet janë duke u ndërmarrë nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”.

    “Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pranuar në takim dy profesorë të Universitetit “Haxhi Zeka”  në takim, ku nga të njëjtit ka pranuar informacionet dhe disa dokumente. Me pas, Kryeprokurorja Vuçetaj, rastin ja ka deleguar Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve, konkretisht sigurimin e disa dokumentacioneve dhe intervistimin e disa personave. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarrë nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”. Me shumë në këtë fazë, i nderuar nuk mund të ndajmë informata për veprimet ligjore nga Prokuroria Themelore e Pejës”, konfirmoi ai.

    Insajderi, ka raportuar me 03.07.2025, se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit ka ndërhyrë drejtpërdrejt në një vendim të Senatit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” (UHZ). Emine Abdyli-Pozhari, kryesuese e Këshillit Drejtues të këtij universiteti, e deleguar nga MASHTI, ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e senatit për zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të UHZ’së.

    Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë vendimin me nënshkrimin e Abdyli-Pozharit, e cila shfuqizon vendimin e datës 1 korrik për zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit Drejtues të UHZ’së të personelit akademik me mandat tre vjeçar.

    Krejt kjo, me arsyetimin se senati i ri nuk ka kompetenca të nxjerrë vendime deri në momentin e mandatimit të tyre, e që sipas saj, parashihet të jetë 1 tetori.

    Gjatë shqyrtimit të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e personelit akademik, është konstatuar se Senati i ri i Universitetit, i cili ka qenë në përbërje të papërmbyllur dhe jo me mandat të plotë deri më datën 01.10.2025, ka ndërmarrë veprime përzgjedhëse që tejkalojnë kompetencat e tij aktuale.

    Në këtë drejtim, është vlerësuar se procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues duhet të zhvillohet nga Senati me mandat të plotë dhe të konsoliduar, për të garantuar legjitimitetin dhe përfaqësimin e drejtë të trupës akademike, ashtu siç kërkohet nga aktet normative në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim.

    E njëjta ka bërë të ditur se kandidatët që kanë shprehur interesimin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues do të mbesin të njëjtit, meqë sipas saj, nuk është konstatuar ndonjë mangësi lidhur me ta përgjatë procesit.

    Abdyli-Pozhari, bashkëshortja e analistit me qëndrime pro-qeveritare Xhevdet Pozhari, u emërua nga MASHTI më 2021-ën në pozitën e kryesues së Këshillit Drejtues në UHZ.

    Vendimi ishte nënshkruar nga vetë ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci.

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje Ministrisë së Arsimit lidhur me ligjshmërinë e shfuqizimit nga një përfaqësues i MASHTI’t vendimin e një senati të pavarur, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ende përgjigje.

    Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë zgjodhi anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, për një mandat trevjeçar, në mbledhjen e fundit të senatit – organit më të lartë akademik të institucionit.

    Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues që u zgjodhën ishin: Prof. Asoc. Arsim Kelmendi Prof. Asoc. Dr. Berat Aqifi Prof. Ass. Dr. Valdrin Misiri Prof. Ass. Dr. Hajrija Škrijelj Hamdiu. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark