Komisioni për Mjedis ka deponuar në Prokurori një dosje prej 20 faqesh për një tokë prej tre hektarësh në Çagllavicë që thonë se u tjetërsua. Dosja që e ka siguruar Gazeta Insajderi zbulon se krejt zanafilla nis kur një qytetareje shqiptare kosovare me emrin Sanie B… iu mor numri personal dhe identiteti i ri i saj u bë serbe kosovare, Sllavica Mikiq. Pastaj, një vendim i Gjykatës së Prizrenit i vitit 1967 u përdor për të marrë tre hektarë në Çagllavicë që pretendohet se janë të RTP-së. Vendimi nuk gjendet në Arkiv. Toka, sipas Kuvendit kap vlerën së paku 12 milionë euro.
Fitore Pacolli, kryetare e komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim tregoi se fillimisht kishin dashur që për këtë çështje të diskutohej në kryesi, e pastaj edhe në seancë plenare, por në përgjigjen që kanë marr nga kjo trupë e Kuvendit ishte se do të duhej të përcillej për në prokurori, meqë ishte çështje që nuk mund të nxirrte përfundime përmes diskutimeve në sallë plenare.
“Prokuroria na ka kthyer përgjigje se e kanë marr lëndën dhe po e shqyrtojnë”, tregoi ajo.
Javë më parë Gazeta Insajderi raportoi për një dokument që kishte prodhuar Policia e Kosovës e deponuar në Prokurorinë Speciale. Në të përshkruheshin transaksione të dyshimta me një pronë në Çagllavicë e ku epiqendra e raporti që u krye me dokumente të Njësisë së Inteligjencës Financiare ishte avokati Venhar Hana, për disa vite avokat i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Gazeta Insajderi publikoi raportin për dyshimet për tjetërsim të tre hektarëve të ish-Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP).
Në këtë raport prej 20 faqesh, një kopje të të cilit e ka Insajderi, tregohet se krejt filli i këtij problemi nis te një ndërrim identiteti.
Sanie B…, një kosovare shqiptare e lindur në vitin 1955 e që kishte letërnjoftim të UNMIK-ut të lëshuar në vitin 2022, për një moment në vitin 2009 nga Sanie bëhet Sllavica Mikiq. Datëlindja identike. Numri personal i njëjtë.
“Nëpërmjet e-mailit ju kemi drejtuar Agjencisë së Regjistrimit Civil, pranë MPB- së, ku kemi kërkuar informacione për znj. Sllavica Mikiq, për të cilën na është kthyer kjo përgjigje: Sllavica Mikiq, me numër personal 1………3 ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut të prodhuar në vitin 2002 me këto të dhëna: Sanie B…, e lindur më ….1955 në Prishtinë. Në vitin 2009, është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës me këto të dhëna: Slavica Mikiq e lindur më …..1955 në Kralevë. Në vitin 2011 ka aplikuar për letërnjoftim të humbur me të dhëna të njëjta, tani ka në posedim letërnjoftim të prodhuar më 12.03.2021 të vlefshëm deri më 11.03.2031”, thuhet në raportin e Kuvendit dërguar në Prokurori.
Deputetët e përfshirë në përpilimin e raportit, pos komunikimit me postë elektronike thonë që edhe i vizituan RC-në.
“….gjatë vizitës që kishim në ARC, dhe bashkëbisedimit me zyrtarin në ambientet e ARC-së, zyrtari na njoftoi se këtu bëhet fjalë për ndërrim të identitetit të znj. Sanie Blakqori dhe se na pas kësaj i kërkuam të na dërgojë të shkruar në formë zyrtare kronologjinë e ndërrimit të identitetit të znj. Sanie Blakqori. Se krimi i ka rrënjët thellë në shoqërinë tonë, fatkeqësisht fletë edhe kjo informatë nga ana e zyrtarit të ARC-së”, thuhet në raport.
Avokati Venhar Hana, personi që Kuvendi e përmend si personi kyç i tjetërsimit
“Prona publike tanimë e tjetërsuar (parc.kad.nr.427-1, z.kad. Çagllavicë me sipërfaqe prej 3.92 ha) dhe e regjistruar në emër të Sllavica Mikiqit, kap vlerën prej 12 milionë euro, pronë e cila ndërkohë është ndarë në 64 njësi të reja kadastrale me shumë pronarë dhe biznese, momentin kur e kemi pranuar historikun, ndërsa sot mundë të ketë edhe më shumë parcela të krijuara dhe pronarë të ndryshëm”, konstatohet në raportin e Kuvendit, e ku ngarkohet direkt Venhar Hana, ish-avokati i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka kërkuar hetim për këtë pronë: