Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK’ut dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, është lajmëruar dhe vetidentifikuar lidhur me skandalin që gazetari Parim Olluri e përmendi, për një video intime e cila është realizuar përgjatë një bisede telefonike me një vajzë, që dyshohet të jetë nën moshën 18-vjeçare.
Krasniqi me anë të një reagimi në ‘Facebook’ në mënyrë implicite ka konfirmuar ekzistencën e kësaj videoje, teksa në anën tjetër e ka quajtur edhe fabrikim.
“Para tre ditësh njëri prej tyre veçse e paraqiti një rrëfim për “videon” intime të “një zyrtari të lartë”. Të njëjtët me paramendim e kanë shtuar përgjatë kohës edhe termin “minorene” apo “e mitur”. Të dashur miq, shokë e ish-kolegë, E kanë fjalën për mua.
Tashmë prej ditësh qarkullojnë në telefonat e njëri-tjetrit politikanë, hetues, prokurorë e pronarë portalesh një material video bashkë me shënimin “ky është ish drejtori i KEK-ut”. Dyshohet që është me një të “mitur.””, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Krasniqi po ashtu ka akuzuar hetuesit dhe Prokurorinë Speciale për “posedim të jetës private”.
“Në prillin e vitit 2023, Prokuroria Speciale autorizoi policët hetues të bastisnin banesën time, zyrën time, konfiskuan gjësende të miat personale, laptopin e telefonin tim. Prej andej ata patën çasje në e-mailin dhe të gjitha adresat e mia”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi.
Para tri ditësh, gazetari Parim Olluri ka paralajmëruar një mega skandal, ku përmes një videoje të postuar në Facebook e ka shpjeguar rastin në detaje.
Olluri thotë se një zyrtar i lartë i VV-së është përfshirë në një skandal shumë të rëndë.
“Një zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje është përfshirë në një skandal shumë të rëndë. Protagonist i skandalit është person i afërt, i rrethit të ngushtë të kryeministrit, Albin Kurti,” ka thënë Olluri.
Gazetari ka thënë se vepra e zyrtarit të VV-së “është vepër e rëndë penale, dhe veprim i rëndë amoral, idiotesk.”
Gazeta Insajderi e posedon videon, por për shkak të përmbajtjes, redaksia ka vendosur të mos e publikojë. Ndaj, Olluri ka shpjeguar se çfarë shfaqet në ato pamje.
“Rasti është i ngjashëm me atë të gazetarit nga Shqipëria, Sokol Balla. Në vitin 2015, ishte publikuar një video ku tregohej se Sokoli kishte biseduar në ‘Skype’ me një grua. Ajo video ishte publikuar në internet, ku shihej Sokoli ‘lakuriq’. Ai tregonte ‘asetet’ e tij. Por, Sokoli në atë video bisedonte me një grua që supozohej të ishte e dashura e tij.”
Olluri ka shpjeguar se në rastin e zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, në bisedën telefonike shihet të jetë një vajzë që dyshohet të jetë nën moshën 18 vjeçare.
“Ndërkaq, në këtë aspekt njeriu i Kurtit është më ndryshe, pasi në videon që e posedon Insajderi, dyshohet se është duke biseduar me një vajzë të mitur”.
Për të kuptuar më shumë në lidhje me këtë skandal, mund ta ndiqni videon në vijim: