
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar hetimet ndaj Selim Bezerajt dhe Rifat Krasniqit, anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP), të cilët janë proceduar tek organet e hetuesisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nga Zyra për Informim e kësaj prokurorie kanë thënë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar autorizim për grumbullim informacionesh relevante lidhur me këtë çështje.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për grumbullimin dhe mbledhjen e informacioneve relevante, me qëllim që të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore rreth kësaj çështje“, thuhet në përgjigjen e Kaltrina Shalës, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për Insajderin.
Insajderi raportoi para disa ditësh se dy anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi janë denoncuar te organet për hetim. Këtë e kishte konfirmuar për Insajderin Sekretari i UP-së, Besnik Loxha.
““Në këtë artikull, burime të caktuara pretendojnë se ju (Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi), në cilësinë tuaj si zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, i keni kërkuar një kompanie private një shumë prej 20 mijë eurosh para të gatshme, në këmbim të mos theksimit të disa punëve të pakryera nga kompania në fjalë. Në këtë drejtim, ju lusim që të na konfirmoni nëse këto pretendime janë të vërteta apo jo, dhe nëse dëshironi të jepni ndonjë sqarim ose qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje””, thuhet në emailin sinjalizues, të cilin e ka përcjellë Loxha për redaksinë.
Ai tutje ka thënë se, bazuar në seriozitetin e pretendimeve, në mungesë reagimi, iu është drejtuar Policisë së Kosovës përmes një denoncimi më 30 prill të këtij viti.
Insajderi iu është drejtuar për koment edhe dy anëtarëve të Këshillit Drejtues për këtë çështje. Selim Bezeraj s’është përgjigjur, ndërkaq Rifat Krasniqi ka thënë se s’është në dijeni për një rast të këtillë. Ai e ka quajtur këtë si “situatë që lidhet me zgjedhjet”.
“Shpresoj të jeni mirë! Unë nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje, dhe nuk jam në dijeni për ndonjë procedurë që mund të jetë iniciuar kundër meje. Ajo që më vjen në mend është se aktualisht jemi në periudhën e zgjedhjeve për Këshillin Drejtues të UP-së, ku unë jam anëtar, dhe kjo situatë më duket si një përpjekje e padrejtë që lidhet me këto zgjedhje”, ka deklaruar Krasniqi.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një koment edhe nga Rektorati i UP’së, mirëpo këta të fundit s’janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Në mars të këtij viti në Prokurori ishte denoncuar edhe kryesuesi i këtij këshilli, Altin Sahiti.
Zyrtari i arkivit qendror të UP-së, Besfort Krasniqi kishte ka ngritur një kallëzim penal ndaj tij pas vendimit për shkarkimin e tij nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës, duke pretenduar se ky vendim ka parregullsi.
Sipas Krasniqit, më 29.09.2024 ishin nxjerrë dy vendime brenda dy orëve me përmbajtje të ndryshme, gjë që ai e kishte parë si tendencioze dhe vendimarrje jo të drejtë.
Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se nga data 2 deri më datën 12 qershor do të jetë e hapur thirrja për pozita të këshillit drejtues, teksa dokumentet do të shqyrtohen nga 13 deri më 17 qershor.
“Zgjedhja e kandidatëve që do të kalojnë verifikimin do të ndodhë mes datave 23 dhe 30 qershor, ndërsa ankesat eventuale do të trajtohen mes 1 e 2 korrikut të vitit 2025“, thuhet më tej në njoftimin e UP’së.
Mandati i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i UP-së është tre vjeçar, ku pritet të fillojë nga 15 shtatori.
“Kandidatët dhe të përzgjedhurit nga UP-ja në Këshillin Drejtues, duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, integritet të dëshmuar, arritje të larta shkencore ndërkombëtare dhe përvojë menaxheriale”, thuhet në kriterin për të qenë anëtar i këshillit drejtues. /Insajderi.org/