
Telekomi i Kosovës ka njoftuar se e ka apeluar në shkallën e dytë vendimin e Inspektoratit të Punës për gjobë në vlerë prej një mijë euro, gjobë kjo për të cilën raportoi Insajderi para tri ditësh.
Në një njoftim për media, ata kanë thënë se ky vendim nuk është përfundimtar dhe se shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës ende s’ka marrë vendim lidhur me rastin e Sadri Hykosmanit.
Raportimi i Insajderit për këtë rast:
Gjykata Komerciale, siç e ka specifikuar Gazeta Insajderi në raportimin e para tri ditësh, ka marrë disa vendime që kanë rrëzuar vendimet e Inspektoratit të Punës.
Reagimi i plotë:
“Lidhur me temën, na lejoni të ju njoftojmë se për rastin e ish-stafit, Sadri Hykosmani, Departamenti Ligjor ka pranuar vendimin e shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, në të cilin, Telekomi i Kosovës është dënuar me gjobë prej 1,000.00 (një mijë) euro. Ky vendim është pranuar nga Telekomi i Kosovës më datën 18.02.2025.
Me datën 25.02.2025, Telekomi i Kosovës, sipas këshillës juridike të vendimit të lartpërmendur, ka paraqitur Ankesë te Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës (TEIP). Rrjedhimisht, ky vendim tani nuk është vendim përfundimtar dhe si i tillë është apeluar në shkallën e dytë të këtij organi, i cili ende nuk ka vendosur.
Për informacionin tuaj, ne ju njoftojmë se edhe vendimet e tjera që kanë përfunduar në shkallën e dytë brenda këtij organi, gjithmonë nga Telekomi i Kosovës Sh. A, janë dërguar tutje me padi për anulimin e aktit administrativ në Gjykatën Komerciale të Kosovës.
Në të gjitha këto vendime, që trajtojnë çështje statusore nga marrëdhënia e punës dhe kontratat e punës, Gjykata Komerciale e Kosovës, siç është duke vendosur, me të drejtë, është duke e shpallur Inspektoratin e Punës si organ jokompetent për të trajtuar çështje të tilla nga marrëdhënia e punës, duke e theksuar se çështjet e tilla janë në kompetencën e drejtpërdrejtë të gjykatës dhe në asnjë formë Inspektorati i Punës nuk mund të përvetësojë e mveshet me funksionet e gjyqësorit.
Çështjet kontraktuale dhe marrëdhëniet e punës janë të natyrës statusore, dhe janë të definuara qartë si kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe vetëm ajo ka mandat për t’i shqyrtuar dhe vendosur për to, madje, në vendimet e tilla gjyqësore qartësisht gjykohet se “…Inspektorati i Punës ka tejkaluar kufijtë e kompetencës, të cilat me ligj të veçantë janë përcaktuar te një institucion tjetër, në këtë rast, gjykata, dhe me nxjerrjen e vendimit të kontestuar, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, paragrafi 5 të Ligjit të Inspektoratit të Punës, paragrafët 6 dhe 7 të Rregullores UA.nr. 07/2012 dhe nenin 70, par. 1.4 dhe 1.6 të Ligjit të Punës. Andaj, gjykata, bazuar në nenin 35 të LKA-së, ka konstatuar se akti administrativ i lëshuar nga organi administrativ është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë të përcaktuar në LPPA”
Për më tepër edhe lidhur me gjobën e vendosur në të cilën, ndër të tjera, theksohet se në afat prej 30 ditësh, Inspektorëve të Punës duhet t’u prezantohet pagesa e realizuar “…në të kundërtën do të iniciohet procedura përmbarimore” në vendimin e ankimuar kemi theksuar se kjo vendosje është plotësisht në kundërshtim me nenin 52, paragrafi 1, pika 1.1 të LPPA-së, i cili thekson se “Një akt administrativ është i paligjshëm nëse 1.1. është nxjerrë në mungesë të autorizimit nga një ligj. Mungesën e autorizimit nga një ligj për inicimin e procedurës përmbarimore e ka rregulluar edhe Ligji nr. 08/L–262 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore, i cili tashmë është plotësuar dhe ndryshuar dhe ku “VENDIMIN E DHËNË NË PROCEDURË ADMINISTRATIVE NUK E KONSIDERON DOKUMENT PËRMBARUES.”