“Kosovo Online”, po raporton se Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka hyrë sot në komunën e Leposaviqit për ta takuar kryetarin, Lulzim Hetimi i cili ka që 20 ditë që po qëndron brenda objektit.
Sipas kësaj medie, serbët lokalë iu kanë afruar derës së përparme të komunës për ta kundërshtuar praninë e ministrit, e duke tentuar të futen me dhunë brenda objektit, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.
Ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, i tha gazetarit të “Kosovo Online” se informacionin për hyrjen e Elbert Krasniqit në ndërtesën e komunës e ka konfirmuar komandanti i kontingjentit hungarez të KFOR-it, i cili siguron vetë hyrjen në ndërtesën e komunës.
Insajderi ka provuar të kontaktojë me ministrin Krasniqi, por i njëjti deri në këto çaste nuk e ka hapur telefonin.
Ndërkohë, një grup i serbëve në Leposaviq sot në mëngjes janë duke vazhduar protestën në mënyrë para ndërtesës së komunës duke kërkuar që Policia dhe kryetari Hetemi të largohen nga ndërtesa e komunës.
Ata janë dëgjuar duke thënë “Jashtë, jashtë”.