![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë të enjten të përgatisë një plan për t’iu mundësuar “largimin vullnetar” banorëve nga Gaza, pas planeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë kontrollin e Rripit.
Vendimi pasoi njoftimin e Trump se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të marrin Gazën, të rivendosin palestinezët që jetojnë atje dhe ta transformojnë territorin në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, raporton Reuters, përcjell Insajderi.
“Unë e mirëpres planin e guximshëm të Presidentit Trump, banorëve të Gazës duhet t’u lejohet liria të largohen dhe të emigrojnë, siç është normë në mbarë botën“, citohet Katz t’i ketë thënë Channel 12 të Izraelit.
Kur u pyet se kush do t’i pranojë palestinezët, Katz tha se duhet të jenë vendet që kanë kundërshtuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.
“Vendet si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjera, të cilat kanë ngritur akuza dhe pretendime të rreme kundër Izraelit për veprimet në Gaza, janë ligjërisht të detyruara të lejojnë çdo banor të Gazës të hyjë në territoret e tyre“, tha ai.