Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar nga puna udhëheqësin për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë Burim Buleshkaj dhe zyrtarin Korrektues, Destan Zogaj. Gazeta Insajderi mëson brenda burimeve të sigurta se arsyeja e largimit nga puna lidhet me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
Sipas njoftimit zyrtare të SHKK-së, ndaj dy zyrtarëve është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren. Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Komisioni Disiplinor i SHKK-së, ka vlerësuar se qëndrimi i Buleshkajt dhe Zogajt në detyrat përkatëse pengon hetimin disiplinor dhe mund të cenojnë ushtrimin e detyrave që kanë.
“Komisisini Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë” thuhet me tej.